Pozita gjeografike
Elbasani është qytet në Shqipëri dhe njëkohësisht qendër e qarkut dhe rrethit me të njëjtin emër. Elbasani është qyteti i tretë më i madh në Shqipëri. Qyteti i Elbasanit ndodhet në Shqipërinë e Mesme. Ai shtrihet në fushën e Elbasanit, në krahun e djathtë të rrjedhjes së mesme të lumit Shkumbin, i rrethuar në lindje nga Krasta e Madhe dhe e Vogël, në veri dhe veriperëndim nga kodrat e Ullishtave, në perëndim nga përroi i Zaranikës, në jug kufizohet nga lumi Shkumbin. Në anën perëndimore të qytetit kalon përroi i Zaranikës dhe nga lindja ai i Manazderies. Elbasani është i vendosur midis gjerësive gjeografike veriore 41° 27′, jugore 40° 10′, lindore 20° 34′ dhe perëndimore 19° 03′ dhe ndodhet në një lartësi mesatare prej 125 m mbi nivelin e detit. Veçoritë klimaterike të kësaj zone janë: dimër i butë e me reshje dhe verë e nxehtë dhe e thatë.

Klima në Elbasan
Klimë e larmishme. Territoret perëndimore të Elbasanit kanë klimë tipike mesdhetare që dallon për verën e nxehtë e të thatë dhe dimër të butë e të lagësht. Në drejtim të lindjes me rritjen e lartësisë dhe largësisë nga deti,vera bëhet më pak e nxehtë,dimri i ashpër. Lartësitë e maleve mbi 1000m kanë klimë malore me verë të freskët dhe dimër të ashpër, me ngrica dhe dëborë të shumtë. Klima e larmishme është dukuri natyrore e dobishme.
Klimë e paqëndrueshme. Janë të shpeshta rastet kur temperaturat ngrihen ose ulen shumë kur bien shumë reshje ose për një kohë shumë të gjatë nuk bien fare reshje. Kjo është dukuri negative.

Historiku i qytetit te Elbasanit
Historia e trevave të Elbasanit e ka zanafillën e saj në shekullin e II-të p.k. me vendbanimet e hershme ilire. Në shekullin e II-të qyteti njihet me emrin “SKAMPA” e më vonë me emrin “SKAMPINI” në varësi administrative të Durrahut. Duke qënë i vendosur në kryqëzimin e rrugëve Veri – Jug dhe Lindje – Perëndim, ai ka shërbyer si pikë e rëndësishme kalimi dhe si stacion i rëndësishëm, duke u përmendur si qëndër urbane, ushtarake e peshkopale. Pas bllokimit të rrugës Egnatia nga dyndjet e barbarëve, qyteti nuk përmendet më dhe njeh shkatërrimin e tij gjatë migrimit sllavo – bullgar diku nga shekulli VI – VII.
Elbasani u zhvillua si qendër e rëndësishme strategjike, administrative, ushtarake dhe ekonomike e Shqipërisë së mesme. Zejtaria dhe tregtia mori përsëri një zhvillim të dukshëm duke shtrirë lidhjet dhe ndikimin në tërë zonat përreth. Një zhvillim të ndjeshëm mori arti postbizantin i përfqësuar nga mjeshtri dhe piktori i madh Onufri i Neokastrës (Elbasanit), i cili krijoi një art kulminant ku spikat me forcë të veçantë gërshetimi i shkëlqyer i gjeniut me traditën vendase. Si vepra të tij, të trashëguara deri në ditët tona, janë afresket dhe ikonat e kishave të Shelcanit dhe të Valshit të mesit të shek. XVI. Vazhdues i veprës së Onufrit përmendet Kostandin Shpataraku. Një zhvillim të vrullshëm mori qyteti i Elbasanit në shek. XVII me krijimin, organizimin dhe funksionimin e 60 llojeve të zejeve në 45 Esnafe. Vlen të përmendet në këtë kohë “Kodiku i Esnafeve të Tabakëve”, 15 Maj 1658, i cili konsiderohet ndër më të vjetrit në Ballkan.
Prodhimet e qytetit të Elbasanit gjenin treg shitje si brenda dhe jashtë vendit. Këtë e dëshmon fakti që Turqia në dy ekspozita ndërkombëtare në Paris në vitin 1867 dhe në Çikago në vitin 1894 krahas artikujve të tjerë të artizanatit ekspozoi edhe pushkët, pistoletat dhe silahet e prodhimit shqiptar të Shkodrës, Elbasanit, Prizrenit, etj. E rëndësishme është se Elbasani shquhet për organizimin e panaireve. Panairi i parë është ai i vitit 1381 i pasuar me të tjerë në periudhat e mëvonshme.

Kalaja e Elbasanit
Interesi që po ngjall ndër vizitorët e huaj kalaja fushore e Elbasanit, pa dyshim ka të bëjë me origjinën Romake të saj.Kjo kala impozante e ngritur mbi kalldrëmin e rrugës perandorake Egnatia, në harkun e 1200 vjetëve është pagëzuar nga tre perandorë të shquar të historisë, Diokleciani, perandori Romak me origjinë Ilire, Justiniani i Parë Bezantin nga Bederiana pranë Prishtinës, dhe sulltani më i famshëm i turqve Osmanllinj Mehmet Fatih Ngadhnjyesi.
Lindjen, zhvillimin dhe rrënimin përfundimtar Skampini ua detyron të njejtit faktor “Rrugës Egnatia”.Në kohën e Perandorisë Romake ndërtimi i saj u bë burim mirëqënie e lulëzimi, kjo, jo vetëm për Skampinin, por për krejt krahinën rreth e rrotull, ndërsa në vigjiljen e dyndjeve të popujve e në vazhdim të tyre, ajo u shndërrua në një shkak mjerimi të pandërprerë.
Kjo fortesë përfaqëson një castrum statum, për strehimin e një legjioni romak që do të shërbente për ruajtjen e sigurinë e rrugës Egnatia. Vetëm një fuqi e tillë si shteti romak mund të kishte sigurinë e ndërtimit dhe qëndrueshmërisë së një kalaje fushore.Para ardhësit tanë i ndërtonin kështjellat në maja shkrepash të mbrojtura nga natyra, ndërsa romakët ndiqnin parimin “Kalatë i mbrojnë burrat, jo muret!”.Në të gjithë gjatësinë e rrugës Egnatia, ndihen vlerat monumentale dhe autoriteti i fuqisë së tyre.

Ekonomia
Elbasani është një qendër e rëndësishme industriale. Elbasani është qendër e prodhimit të hekurit për ndërtim. Në Elbasan ka gjithashtu edhe një fabrikë çimentoje, një fabrikë të prodhimit të ferrokromit, të oksigjenit, një kombinat të përpunimit të drurit, etj.
Zhvillim industrial filloi gjatë regjimit të Zogut me prodhimin e duhanit dhe pijeve alkoolike, dhe arriti kulmin gjatë regjimit komunist. Qytetit i ishte fituar rëndësi pasi kinezet kishin ndërtuar një fabrikë të çelikut në vitin 1974 . Ka pasur edhe industri te tjera që vepronin në qytet gjatë regjimit komunist, dhe si rezultat qytetit tani vuan nga ndotja.
Rrethi i Elbasanit ka qenë konsideruar në të kaluarën jo të largët si zona më e rëndësishme ekonomike e Shqipërisë,kryesisht për industrine e tij të rëndë.Kjo industri nuk ishte e bazuar në kritere ekonomike dhe nuk mundi ti rezistojë kohës së sotme.
Aktivitetet industriale përfaqësohen nga uzina e çelikut,ajo mekanike,elektrike, ferrokromi,e çimentos,ushqimore,etj, të cilat janë private,aksionere ,të përbashkëta si dhe shtetërore.Deri tani janë privatizuar të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.Gjithsej janë privatizuar rreth 1700 objekte.
Egzistenca në vite e një industrie të madhe,me infrastrukturën e saj dhe me një popullsi me baza teknike të mira,krijojnë kondita të favorshme për lindjen e ndërmarrjeve industriale të vogla e të mesme. Kualifikimi,fuqia puntore dhe përkrahja për investimet e huaja në këto sektorë do të bëjnë që zona industriale e Elbasanit të gjejë një zhvillim të ri dhe kthimin në një park industrial.

Kostumet popullore
Rajoni i Elbasanit si zonë e ndërmjetme folklorike, numëron rreth 37 kostume popullore autentike, me mbi 10 varjante. Sipas etnologut Thanas Meksi: “Nga burimet etnografike dhe gërmimet arkeologjike, harta kostumologjike e rajonit del e pasur dhe shumë e hershme. Ajo ndahet në disa njësi etnografike, si Malësia e Labinotit, Shmilit, Funarit dhe Krrabës, qyteti i Elbasanit, Malësia e Shpatit si edhe Fusha e Elbasanit, Dumresë dhe Sulovës”. Dokumenti më i vjetër arkeologjik që ruhet në Muzeun Etnografik të qytetit është basorelievi i skalitur në gur, stela me figurën e nuses ilire. Ajo i përket shekullit të II- III, dhe është gjetur në fshatin Tërbaç të Krrabës, nga disa fshatarë. Një pjesë e kësaj zone vazhdon të ruajë këtë lloj veshje duke u përdorur në kostumet e grave të Krrabës, Funarit, si edhe Godoleshit. “Elemente të tjera të veshjes popullore të dokumentuara në zbulimet arkeologjike, janë edhe vargonjtë e mesit, tirqet, kallcet, që përdoren në kostumet e nuseve të malësisë së Shmilit, Krrabës dhe në atë të Shpatit”, vijon Meksi. Më vonë shfaqen opinga, xhoka, bruca, që vazhdojnë të përdoren në veshjet e Elbasanit. Opinga përdoret në të gjithë rajonin, ndërsa xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë, përdoret në Elbasan, në malësinë e Krrabës së Tiranës, si dhe në Peqin. Tipike në Peqin, është veshja me jakuce e burrave të qytetit, të cilën e përdorte edhe Isuf Myzyri (kompozitor, Artist i Popullit). Në shekujt XVI – XVII, merr hov kostumi popullor i grave. Në shekujt XVI – XVII me zhvillimin e zejtarisë, një zhvillim të madh mori përpunimi dhe tregtimi i mëndafshit. Ai u përdor për eksport, por edhe si lëndë e parë për përgatitjen e kostumeve popullore të grave të qytetit. Ndaj kostumi shqiptarçe i grave të qytetit të Elbasanit, i huazuar më vonë nga gratë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Peqinit, u bë kostumi mbizotërues i grave të Shqipërisë së Mesme. Ai vazhdon të vishet nga gratë e kësaj zone të Shqipërisë dhe është kryesor në garderobën e ansambleve artistike dhe folklorike. Jehonë ky kostum ka bërë edhe në festivalet ndërkombëtare. Shumllojshëmria e kostumeve popullore në trevën e Elbasanit ka tërhequr interesimin e organizatave ndërkombëtare të Folkut Europian

Dasma elbasanase
Dasma zgjaste gati shtatë ditë, por duke filluar nga dita e enjte ceremonia merr kuptimin e plotë bashkë me ritet shoqëruese. “Kënga e orizit” nis ciklin e këngëve të dasmës, duke filluar ditën e enjte në familjet ortodokse. Një ditë para janë lajmëruar njerëzit. Gratë që do të pastrojnë orizin janë gra të reja. Halla, motra e babait të djalit zë kryevendin dhe fillon këngën e parë.
Në ceremoninë e martesës ortodokse dasma e djalit zgjat një javë, ndërsa e vajzës fillon e mbaron po ditën e diel. Sapo zbardh dita motrat e dhëndrit shkojnë në tri çezme e mbushin ujë. Nëse hasin njerëz të njohur ato nuk u flasin me gojë. Me ujin e mbushur ato spërkasin shtëpinë për fat sjellje. Dhëndri ditën e dasmës nuk ngarkohet me asgjë. Edhe pritjen e miqve e bën i ati.
Një rit që bëhej ditën e diel ka lidhje me këndimin e rrobave të dhëndrit. Veshjet vihen në një stol në mes të dhomës se më e vjetra e fisit fillon këngën duke i ngritur veshjet një e nga një. Pasi këndohen veshjet një e nga një i vjen radha këngës së dytë që i këndohet dhëndrit.
Dita e verës
Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit, veçanërisht në Tiranë.
Zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.
Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit, herët në mëngjes, hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë. Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët, zakonisht, e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë, elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

Ballokumet
Për të kuptuar ndryshimin midis kremtimit “alla-elbasançe” të Ditës së Verës, me atë që bëhet gjetkë, nëpër Shqipëri apo ndër shqiptarë, mjafton t’u referohemi ballokumeve. Në Elbasan përgatitjet për ballokumet të bëhen me kohë. Dihet se ku do të merret mielli i misrit për to, ku do të merret gjalpi, ku do të merret sheqeri. Dihet si do të rrihen, si do të shtrihen, si do të piqen. Me ç’gradacion, me ç’ritëm kohor. Të gjithë e dinë, për shembull, se ballokumet bëhen me miell misri. Por pak e dinë se një kg miell ballokumesh del (pas një cikli sitjesh) nga 7-8 kg miell misri. Edhe sheqeri ndryshon (është i imët), edhe gjalpi… Pra recetat për ballakumet nuk funksionojnë kudo. Përsëri ballokumet e Elbasanit ndryshojnë. Ato kanë gjithnjë diçka më shumë. Sepse Elbasani fut një “element” plus në recetën e ballokumeve. Kjo është dashuria. Ballokumet e Elbasanit kanë brenda shumë, shumë dashuri. Sikurse vetë Dita e Verës në Elbasan është një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën.

Punimet artizanale
Artizanati në Elbasan njeh fillimet e veta në shekullin XVI – XVII. Fillimisht ekonomia fshatare ishte e mbyllur, kështu që vetë gratë fshatare nisën të prodhonin duke nisur nga veshjet, shajakra të ndryshëm, qylyma, velenxa, etj. Me futjen e lirit ( bimë që mbillej në çdo shtëpi fshati, që zëvëndësonte pambukun), pasi korrej përpunohej e më pas me fijen përgatiteshin rroba të brendshme me vegje. Një mjet tipik i teknologjisë popullore në këto shekuj, i madh prej druri, i ngritur mbi katër këmbë dhe me pjesën e nevojshme, në të cilën tendosen fijet e majës prej liri, leshu, pambuku, mëndafshi, dhe përdoret për të endur pëlhura të ndryshme dhe qilima.
Pjesët kryesore të vegjës janë dy shulat, në njërin mbështillet maja dhe në tjetrin pëlhura e punuar, lisat për të ulur e ngritur këmbyerazi fijeta e majës shpata ose krehri, për të rrahur indin, druga e boshtet e penjëve.Me kalimin e kohës këto prodhime nisën të shiheshin edhe në tregun e Elbasanit ku zinin një vend të veçantë punimet artizanale me thurje, ornamente. Dalëngadalë përpunimi me vegje erdhi duke u përsosur dhe prodhimi i atrtizanëve nga familjarët kaloi në profesione të veçanta dhe prodhimet e këtyre artizanëve profesionistë morën udhën edhe jashtë kufijve si mallra të kërkuara.
Pëlhurat e prodhuara në qytetin e Elbasanit që në fillim shekullin e XIX ishin më në zë në të gjithë Rumelinë. Kjo zeje ishte mjaft e përphapur dhe u bë burim i rëndësishëm i të ardhurave për pupullsinë.Shumë pëlhurë mëndafshi konsumohej për prodhimin e mbulesave të shtretërve, tavolinave, çërçafëve, sidomos për të qepur elementë të veshjes së gruas dhe burrit. Nusja qytetare përgatiste shumë veshje për pajë. Tjerrja e mëndafshit bëhej gjatë muajve të dimrit, kurse endja gjatë stinëve të ngrohta. Me këtë zeje jetonin 500 -600 shtëpi qytetare.
Kjo lloj zeje funksionoi deri në vitet 1950-të. Me futjen e pambukut u zëvëndësuan prodhimet e shajaktat dhe të lirtat, dhe tezgjahet, mbetën aty këtu në ndonjë familje në malësi. Tek tuk, për kënaqsitë e tyre personale vllehët në Elbasan, dhe shpataraket, punon në shtëpi me vegje dhe me tezgjah, velenca, apo qilima me lesh.
Në vitet 1970- 1990, me hapjen e tregjeve njerëzit u dergjën pas prodhimeve seriale të industrisë. Shumë kombinate tekstili apo NPV, ja zunë vendin prodhimeve artizanale, dhe kështu kjo lloj zeje thuajse u harrua fare.

Artet figurative të shekullit të XX
Në Elbasan artet figurative të shekullit të XX përfaqësohen kryesisht nga piktura dhe skulptura, e zhvilluar në përputhje me ngjarjet historike në vend dhe në botë. Në fillim shekullin e XX shfaqen konceptet e reja për artet figurative, si rezultat dhe i ngritjes së shkollës “Normale” në këtë qytet. Arti shfaqet me tiparet e Rilindjes, veçse i vonuar për shkak të izolimit osman. Ishin të shumtë piktorët të cilët nisën të pikturonin portrete dëshmorësh, figura shpatarakësh, peisazhe nga Elbasani, me sfond ullishten, “Xhaminë Mbret”.
Ndër piktorët e njohur të shekullit të XX në Elbasan përmenden Zef Kolombi, Bukurosh Sejdini, piktori i parë elbasanas i cili ka realizuar tablotë “Tre Vëllezërit Frashëri”, “Çlirimi i Tiranës”, “Ismail Qemali” etj. Për të vijuar me piktorët Andon Lakuriqi, Xhemal Lufta, Sefedin Agolli, Fatbardh Marku, Sadik Kasa, si dhe skulptorët Sigfrid Mullisi, Kujtim Koprencka, Vladimir Caridha etj.

Turizmi
Qarku i Elbasanit ka resurse të mëdha natyrore dhe historike, të cilat shfrytëzohen në minimumin e tyre.
Duke qenë se investimet për zhvillimin e turizmit janë lënë vetëm në dorën e pronarëve të lokaleve, Elbasani mbetet një qytet tranzit për turistët. Vizitorët, kryesisht të huaj, për t’u njohur me vlerat historike të qytetit bëjnë pjesë të axhendave të tyre turistike Kalanë, Rrapin e Bezistanit dhe Monument e Kulturës në Llixha, dhe në mungesë të promovimit dhe të infrastrukturës, lihen jashtë vëmendjes Gjinari, Belshi dhe Stebleva. Këto janë vendet ku natyra ka falur shumë, por që vizitohen shumë pak nga turistët vendas dhe të huaj.
I vetmi që ka njohur zhvillim është turizmi lumor. Ajri i pastër dhe kthjelltësia e ujërave të lumit Shkumbin janë ndalesa e turistëve vendas dhe të huaj. Një vlerë e shtuar e vizitës në qytetin e Elbasanit është kuzhina.
Gatimet tradicionale, por edhe ato të huazuara nga kuzhinat e vendeve fqinje janë një arsye më shumë për t’u ndalur në qytetin e festës së verës. Duke qenë se turizmi në qytetin e Elbasanit mbetet ditor edhe kapacitetet e akomodimit hotelier nuk janë të mëdha. Elbasani ka 30 hotele me 1280 shtretër të përqendruar kryesisht në rrugët hyrëse dhe dalëse të tij.
Sipas statistikave rezulton se destinacionet më të frekuentuara të turizmit për Elbasanin gjatë viteve të fundit kanë qenë qyteti i Elbasanit ku interes ka pasur për turizmit historik e kulturor për arsye të vend ndodhjes së objekteve të tilla si kalaja e Elbasanit, Vija Egnatia, Bazilika, kishat dhe xhamitë mesjetare, shtëpitë dhe rrugët karakteristike.
Më pas në vëmendjen e turistëve renditen edhe Llixhat, zona e Shpatit, e Stëbleves, e Dumresë, Ujevarat dhe shpellat në Gramsh.Qarku Elbasan numëron 100 destinacione turistike të natyrës historike apo të trashëgimisë kulturore, 80 monumente të natyrës, 37 lloje kostumesh popullore të cilat duke u kombinuar me traditën e mikpritjen përbën një nga industritë më të mëdha të zhvillimit të zonës në të ardhmen.

Ndotja ne Elbasan
Elbasan, ndotja e mjedisit 4 herë mbi normat e lejuara të BE • Ndotja e mjedisit në rrethin e Elbasanit vijon të jetë një ndër shqetësimet më serioze për të gjithë banorët. Ata ankohen se jetojnë cdo ditë nën renë e tymit të ndotur të zonës industrial, ndërsa dy kompanitë private “Kurum” dhe ajo e ferrokromit “ACR” kanë hequr dorë totalisht nga sistemi I filtrave. Qytetarët kërkojnë normalizimin e kësaj situate, pasi ndotja po u shkakton atyre një sërë sëmundjesh të rënda. Qytetarët e Elbasanit u shprehën se situata është shumë shqetesuese, ndërkohë që akoma vjen era e rëndë në këtë zonë. Banorët e kësaj zone shpresojne që pushteti i ri të bëjë dicka për ta . Sipas tyre duhet vënë dorë për përmirësimin e ambjenteve sepse situata është vdekjeprurëse.Kulmi i ndotjes arrin në orarin 18:00 deri ne 04:00 te mengjesit, ku mund të shikohet me sy të lirë se cfarë ndotje shkaktohet në qytetin e Elbasanit. Specialist theksojnë se kjo ndotje shkon 4 herë mbi normat e lejuara të Bashkimit Evropian. Muajin e fundit ka patur një shtim të ndotjes pranë ish Kombinatit Metalugjikut. Kompania Turke “Kurum” dhe ajo e Ferrokromi “ACR”, kanë hequr dorë nga sistemi I filtrave duke shtuar sasinë e blozës kancerogjene që shpërndahen në atmosferë.
Elbasan, dhjetëra ton mbetje të rrezikshme kimike
Një ndër ndotësit më të mëdhenj në Elbasan, janë edhe mbetjet kimike të depozituara në disa magazine të vjetra në fshatin Balëz. Në vitin 2004 ishin mediat që dhanë alarmin se në këtë fshat jo më larg se 4 km nga qyteti i Elbasanit ndodheshin 30 ton cianur të sistemuar në këto depo. Por burime nga reparti ku janë depozituar këto mbetje bëjnë të ditur se në vitin 2010 Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim PNUD-in vendosën asgjësimin e cianurit, nga një firmë greke. Megjithatë, këto mbetje vazhdojnë të mbeten në listën e publikuar edhe pak ditë më parë nga Ministria e Mbrojtjes, si një nga zonat më të ndotura në vend. Siç shihet, ky repart vazhdon të konsiderohet si objekt i rëndësisë së veçantë, çka tregon për rrezikun e madh mjedisor dhe ndotës që ka brenda tij. Sipas ministrisë së mjedisit janë 23 hektarë tokë e ndotur nga mbetjet dhe rrezatimi i hekur- nikelit përreth kësaj zone.

Shkumbini, lumi i mbeturinave
Ndotja industriale e lumit Shkumbin ndodh kryesisht për shkak te aktivitetit industrial të ish Kombinatit Metalurgjik i cili shkakton edhe ndotjen më të madhe të tij.Lumi Shkumbin gjatë gjithë gjatesisë se tij ka disa pika te ne të cilat derdhen ujrat e ndotura nga përdorimi i tyre në objektet industriale në qytetet Elbasan ,Librazhd , Peqin , Kavajë dhe Rrogozhinë. • Zonat më të ndotura janë në segmentet ( Ura e Shkumbinit – derdhja e përroit Zaranikë ) , ( Damba e ish kombinatit Metalurgjik ) ,( zona ndërmjet dy urave mbi Lumin Shkumbin të autostradës Peqin Elbasan në Peqin ) ( zona qytetit të Librazhdit ) etj. • Ndotja Bujqësore ndodh kryesish si pasojë e errozionit të tokave nga mungesa e bimësisë kjo lloj ndotje shkakton atë që quhet turbullira. Zonat karakteristika janë grykderdhja e përroit të Rrapunit në Librazhd , përroit te Gostimës në Xibrakë etj. • Ndotja me origjinë shtëpiake ( Ujrat e zeza ) ndodh për shkak të mos ndërtimit të impjanteve të pastrimit të ujrave të zeza të qyteteve që përshkon ky lumë. Zonat problematike, derdhja e ujrave të zeza të qytetit të Elbasanit në dy pika njëra tek varrezat e qytetit dhe tjetra tek ura e Shkumbinit.

